Shkup, 15 shkurt 2024 – Me shpalljen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të planifikuara për 24 prill, gjegjësisht 8 maj 2024, hynë në fuqi dispozitat e Kodit Zgjedhor. Ky është fillimi i monitorimit të raportimit mediatik nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, e cila deri në fillimin e fushatës zgjedhore do të jetë e fokusuar në nëntë shërbime programore televizive në nivel shtetëror, dhe të gjitha shërbimet e tjera programore do të monitorohen në bazë të parashtresave.
Transmetuesit që do të transmetojnë reklamim politik me pagesë (RPP) duhet të respektojnë afatin prej 3 ditësh për regjistrim në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, gjegjësisht 5 ditë për përcaktimin e listave të çmimeve për RPP dhe dorëzimin e tyre tek institucionet kompetente – KSHZ, ESHR, KSHPK dhe ASHMA. Raportimi për aktivitetet e rregullta të organeve shtetërore, organeve komunale dhe qytetit të Shkupit, institucioneve dhe organizatave shtetërore, si dhe subjekteve tjera juridike me kompetenca publike, nuk guxon të jetë në funksion të përfaqësimit mediatik zgjedhor të asnjë subjekti politik.
Duhet të respektohen rregullat për publikimin e rezultateve të anketave të opinionit publik në lidhje me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, si dhe ndalimet e transmetimit të RPP para fillimit të fushatës zgjedhore, për transmetimin e reklamave të financuara nga buxheti dhe ndalimin e angazhimit të njëkohshëm të redaktorëve, gazetarëve, drejtuesve të programeve dhe prezantuesve në programet e radiodifuzerëve dhe në aktivitetet parazgjedhore të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.
Shërbimi i transmetimit publik dhe Transmetuesit kombëtarë që kanë vendosur të mbulojnë procesin zgjedhor janë të detyruar ta bëjnë këtë në një format dhe në një gjuhë të qasëshme dhe të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.
Transmetuesit gjatë raportimit për procesin zgjedhor janë të detyruar të respektojnë parimet profesionale të veprimtarisë gazetareske, veçanërisht parimin e paraqitjes objektive, të paanshme të ngjarjeve, me trajtim të barabartë të pikëpamjeve dhe opinioneve të ndryshme, në mënyrë që t’i mundësojnë audiencës lirisht formojnë mendimin e tyre për ngjarje dhe çështje të veçanta. Në të njëjtën kohë, të gjithë transmetuesit janë të obliguar të respektojnë ndalesat e veçanta nga neni 48 i LSHMAAV.
Agjencia, si edhe më parë, në ueb faqen e saj publikoi një baner me të gjitha materialet lidhur me procesin zgjedhor – akte ligjore dhe nënligjore, formular për parashtresa etj. Përveç në gjuhën maqedonase, ky baner funksionon edhe në gjuhën shqipe dhe angleze.