Shkup, 19 mars 2025 – Аgjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele rikujton mediat, gjatë informimit për funeralet e viktimave nga zjarri tragjik në Koçan, t’u përmbahen standarteve më të larta profesionale dhe etike.
Raportimi duhet të jetë pa sensacionalizëm, detyrimisht duhet të respektohet dhimbja dhe pikëllimi personal i familjeve, të afërmve dhe të dashurve të të ndjerëve dhe duhet pasur kujdes që të mos kontribuojnë në rritjen e mëtejshme të shqetësimit. Në këtë drejtim janë edhe kërkesat nga banorët e Koçanit, të cilët dje i janë drejtuar drejtpërdrejt Agjencisë, por edhe përmes rrjeteve sociale, me apel që punonjësit e mediave të qëndrojnë larg gjatë funeralit dhe të mos filmojnë me dronë. Mediat duhet të jenë të kujdesshme gjatë kryerjes dhe veçanërisht gjatë publikimit të inçizimeve dhe fotografive, në mënyrë që të lejojnë familjet dhe prindërit me dinjitet dhe respekt t’i thonë lamtumirë të dashurit e tyre.
Në përgjithësi, këto ditë mediat treguan një shkallë të lartë profesionalizmi. Ka pasur disa raste të transmetimit të filmave dhe serialeve me përmbajtje argëtuese, për të cilat janë paraqitur ankesa në Agjenci, prandaj theksojmë se transmetuesit duhet t’i kushtojnë më shumë kujdes gjatë krijimit të orarit të programeve. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që muzika klasike që transmetohet të jetë e përshtatshme për ditët e zisë.
Përveç kësaj, u bëjmë apel mediave që të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për punonjësit e tyre mediatik, të cilët gjatë ditëve në vijim për kryerjen e detyrave të punës janë ekspozuar ndaj sterit të jashtëzakonshëm, rrjedhimisht dhe ndaj rrezikut shëndetësor.