Direktiva 84/50/BEE – për reklamimin e pavërtetë

Direktivë e Këshillit 84/450/BEE e datës 10 shtator 1984 për afrimin e ligjeve, dispozitave dhe akteve administrative të vendeve anëtare në lidhje me reklamimin e pavërtetë

KËSHILLI I BASHKËSIVE EVROPIANE,

Duke e pasur parasysh Marrëveshjen me të cilën është formuar Bashkësia Ekonomike Evropiane, dhe sidomos nenin 100 të saj,

Duke pasur parasysh propozimin e Komisionit (*1),

Duke pasur parasysh mendimin e Parlamentit Evropian (*2),

Duke pasur parasysh mendimin e Komitetit të Çështjeve Ekonomike dhe Shoqërore (*3),

Meqë ligjet kundër reklamimit të pavërtetë që janë në fuqi në vendet evropiane dallojnë në masë të madhe; meqë reklamimi i kalon kufijtë e vendeve të veçanta anëtare, ka ndikim direkt në formësimin dhe funksionimin e tregut të përbashkët;

Meqë reklamimi i pavërtetë mund t’i hapë rrugë çrregullimit të konkurrencës në kuadër të tregut të përbashkët;

Meqë reklamimi, pa marrë parasysh se a rezulton me marrëveshje, ka ndikim ndaj mirëqenies së konsumatorëve;

Meqë reklamimi i pavërtetë mund të shkaktojë vendimmarrje të dëmshme për vetë konsumatorin kur furnizohet me mallra ose me tjetër pronë, ose kur shfrytëzon shërbime, ndërkohë që dallimet midis ligjeve të vendeve anëtare jo vetëm që rezultojnë, në shumë raste, me nivele joadekuate të mbrojtjes së konsumatorëve, por edhe e pengojnë realizimin e fushatave të reklamimit përmes kufijve nacionalë, duke ndikuar kështu në lëvizjen e lirë të mallit dhe të sigurimit të shërbimeve;

Meqë programi i dytë i Bashkësisë Ekonomike Evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për politikën e informimit (*4) jep mundësi për veprim adekuat në mbrojtjen e konsumatorëve nga reklamimi i pavërtetë dhe i padrejtë;

Meqë është në interes të opinionit publik përgjithësisht, si dhe të konsumatorëve e të gjithë atyre që, në konkurrencë të ndërsjellë, ushtrojnë tregti, biznes, zanat ose profesion në tregun e përbashkët, të harmonizojnë para së gjithash dispozitat nacionale kundër reklamimit të pavërtetë, e pastaj të punojnë në reklamimin e padrejtë dhe, po qe e nevojshme, në reklamimin krahasimtar, mbi bazë të propozimeve gjegjëse të Komisionit;

Meqë ka nevojë për përcaktim minimal dhe objektiv të kritereve që bëjnë të ditur se reklamimi a është i pavërtetë;

Meqë ligjet që do të nxirren nga vendet anëtare duhet të jenë adekuate dhe efikase;

Meqë personat ose organizatat që në bazë të ligjit nacional konsiderohen se kanë interes legjitim brenda sferës patjetër duhet të kenë favore në ngritjen e procedurave kundër reklamimit të pavërtetë, qoftë para gjyqit ose para pushtetit administrativ që është kompetent për të vendosur rreth ankesave ose për të ndërmarrë veprime adekuate juridike;

Meqë duhet lejuar që secili vend anëtar të vendosë se a do t’u mundësojë gjyqeve ose pushteteve administrative që të kërkojnë më parë të shkohet kah shfrytëzimi i mjeteve të tjera të përcaktuara në lidhje me ankimimin;

Meqë gjyqet ose pushtetet administrative patjetër duhet të kenë autorizimin që do t’u mundësonte që të urdhërojnë ose të kërkojnë ndërprerjen e reklamimit të pavërtetë;

Meqë në disa raste mund të jetë e dëshirueshme që reklamimi i pavërtetë të ndalohet qoftë edhe para publikimit; meqë kjo në asnjë rast nuk do të thotë që vendet anëtare marrin obligimin që të adoptojnë rregulla që kushtëzojnë kontrollimin më parë sistematik të reklamimit;

Meqë duhet të adoptojnë dispozita për procedura të shpejtuara, sipas të cilave do të merren masa me efekt të përkohshëm ose përfundimtar;

Meqë mund të jetë e dëshirueshme të urdhërohet publikimi i vendimeve që kanë marrë gjyqet ose pushtetet administrative, ose i deklaratave të korrigjuara, me qëllim që të eliminohen efektet e mëtejshme nga reklamimi i pavërtetë;

Meqë pushtetet administrative patjetër duhet të jenë të paanshme, edhe aplikimi i autorizimit të tyre patjetër duhet të jetë lëndë e vlerësimit gjyqësor;

Meqë kontrollimi vullnetar nga ana e trupave vetërregullatorë për eliminimin e reklamimit të pavërtetë mund t’i ikë animit kah paditë administrative ose gjyqësore dhe për këtë duhet të inkurajohet;

Meqë shpallësi duhet të ketë mundësinë që ta dëshmojë, me mjete përkatëse, saktësinë materiale të pohimit faktik në reklamimin e tij, e prej tij në raste përkatëse pushteti gjyqësor ose administrativ mund të kërkojë që ta bëjë atë;

Meqë kjo Direktivë nuk guxon të pengojë vendet anëtare që të ruajnë ose të adoptojnë dispozita për sigurimin e mbrojtjes më të gjerë të konsumatorëve, të personave që ushtrojnë tregti, biznes, zanat ose profesion dhe opinionin e përgjithshëm,

(*1) ОЈ Nr.. C 70, 21.3.1978, fq. 4

(*2) ОЈ Nr.. C 140, 5.6.1979, fq. 23

(*3) ОЈ Nr. C 171, 9.7.1979, fq. 43

(*4) ОЈ Nr. C 133, 3.6.1981, fq. 1

Neni 1

Qëllimi i kësaj Direktive është që t’i mbrojë nga reklamimi i pavërtetë dhe nga pasojat e tij të padrejta konsumatorët, personat që ushtrojnë tregti ose biznes, zanat ose profesion dhe interesat e opinionit të përgjithshëm.

Neni 2

Për nevojat e kësaj Direktive

1. ,,Reklamim” do të thotë paraqitje në çfarëdo formë në lidhje me tregtinë, biznesin, zanatin ose profesionin, me qëllim që të promovohet sigurimi i mallrave ose i shërbimeve, përfshi dhe pasurinë e paluajtshme, të drejtat dhe obligimet;

2. ,,Reklamim i pavërtetë” do të thotë çdo reklamim që në çfarëdo mënyrë, përfshi dhe paraqitjen e tij, mashtron ose ka mundësi që të mashtrojë personat që synon ose ata deri të cilët arrin, e që për shkak të natyrës së tij të rreme me siguri do të ndikojë ndaj sjelljes ekonomike ose që, për ato shkaqe, e lëndon ose ka mundësi ta lëndojë konkurrentin;

3. ,,Person” do të thotë çdo person fizik ose juridik.

Neni 3

Në përcaktimin se a është ndonjë reklamim i pavërtetë, do të merren parasysh të gjitha karakteristikat e tij, sidomos informacionet që përmban ai e të cilat kanë të bëjnë me:

(а) karakteristikat e mallrave dhe të shërbimeve, siç është arritja, natyra, pamja, përmbajtja, metoda dhe data e përpunimit ose e sigurimit të tyre, qëllimi, destinimi, sasia, specifikimi, prejardhja gjeografike a komerciale ose rezultatet që mund të priten nga përdorimi i tyre, ose rezultatet dhe karakteristikat materiale të testeve ose të kontrollimeve të cilave iu janë nënshtruar mallrat ose shërbimet;

(b) çmimin ose mënyrën e llogaritjes së çmimit e me kushtet sipas të cilave bëhet furnizimi me mallra ose sigurohen shërbimet;

(c) natyrën, karakteristikat dhe të drejtat e shpallësit, siç janë identiteti dhe pasuria e tij, kualifikimi dhe pronësia e tij mbi të drejtat industriale, komerciale a intelektuale ose mbi shpërblimet e tij dhe karakteristikat tjera.

Neni 4

1. Vendet anëtare duhet të binden se ekzistojnë masa përkatëse dhe efikase për të kontrolluar reklamimin e pavërtetë në interes të konsumatorëve, si dhe të konkurrentëve e të opinionit të përgjithshëm. Masat e tilla duhet të përfshijnë dispozitat juridike sipas të cilave personat ose organizatat që në bazë të ligjit nacional konsiderohen legjitime për ta ndaluar reklamimin e pavërtetë, do të mund:
(а) të ndërmarrin veprim juridik kundër reklamimit të tillë; dhe/ose

(b) ta përballin reklamimin e tillë me pushtetin administrativ, kompetent për të vendosur ose mbi bazë të ankesave, ose të fillimit të procedurës gjegjëse juridike.

Çdo vend anëtar vetë do të vendosë se cilën prej këtyre mundësive do të kenë në dispozicion dhe a do t’u lejohet gjyqeve ose pushteteve administrative që të kërkojnë më parë të shkohet kah shfrytëzimi i mjeteve të tjera të përcaktuara në lidhje me ankimimin, përfshi edhe ato që janë përmendur në nenin 5.

2. Sipas dispozitave juridike nga paragrafi 1, vendet anëtare do t’u japin pushteteve gjyqësore dhe administrative autorizimin që do t’u mundësojë, në rastet kur konsiderojnë se masat e tilla janë të domosdoshme, duke marrë parasysh të gjitha interesat e gërshetuara, e sidomos interesin publik:

të urdhërojnë ndërprejen ose të fillojnë procedurat juridike gjegjëse për ndërprerjen e reklamimit të pavërtetë, ose

në qoftë se reklamimi i pavërtetë ende nuk është publikuar, mirëpo publikimi është i pashmangshëm, të urdhërojnë ndalimin e tij ose të fillojnë procedura juridike gjegjëse për ndalimin e tij,

qoftë edhe pa dëshminë e dëmit të vërtetë ose

qëllimit a pakujdesisë nga ana e shpallësit.

Vendet anëtare duhet të adoptojnë dispozita edhe për masat e përmendura në nënparagrafin e parë, të cilat do të ndërmerren në procedurat e shpejtuara

ose me efekt të përkohshëm, ose

me efekt definitiv.

Çdo vend anëtar do të vendosë se cilin prej dy obcioneve do ta zgjedhë.

Më tej, vendet anëtare mund t’u japin pushteteve gjyqësore ose administrative autorizime që do t’u mundësojnë eliminimin e efekteve të vazhduara nga reklamimi i pavërtetë, ndërprerja e të cilave është urdhëruar përmes vendimit përfundimtar:

të kërkojnë publikimin e plotë ose të pjesshëm të atij vendimi, edhe atë në formën që e konsiderojnë të përshtatshme,

në mënyrë plotësuese të kërkojnë publikimin e deklaratës së korrigjuar.

3. Pushtetet administrative të përmendura në paragrafin 1 patjetër:

(а) të jenë të formuara ashtu që të mos shkaktojnë dyshime për paanësinë e tyre;

(b) të kenë autorizime përkatëse, kur do të vendosin rreth ankesave, dhe në mënyrë efikase ta mbikëqyrin realizimin e vendimeve të tyre;

(c) rëndom t’i paraqesin shkaqet e vendimeve të tyre.

Atje ku autorizimet që përmenden në paragrafin 2 aplikohen vetëm nga ana e pushtetit administrativ, gjithnjë duhet të nxirren shkaqet rreth vendimit të tyre. Më tej, në këtë rast patjetër duhet të adoptohet dispozita me të cilën aplikimi jo i drejtë ose jo i arsyeshëm i autorizimit nga ana e pushtetit administrativ ose lëshimet jo të drejta ose jo të arsyeshme në aplikimin e autorizimeve të përmendura mund të jetë lëndë e kontrollit gjyqësor.

Neni 5

Kjo Direktivë nuk e përjashton kontrollin vullnetar të reklamimit të pavërtetë nga ana e trupave vetërregullatorë dhe korrespondencën me këta trupa nga ana e personave ose organizatave të përmendura në nenin 4, po qe se procedurat para trupave të tillë janë lëndë e procedurave gjyqësore ose administrative të përmendura në atë nen.

Neni 6

Vendet anëtare do t’u ndajnë gjyqeve ose pushteteve administrative kompetenca të cilat në procedurë civile ose administrative, shpjeguar në nenin 4, do t’u mundësojnë:

(а) të kërkojnë nga shpallësi dëshmi mbi saktësinë e pohimeve faktive në reklamim, duke pasur parasysh interesat legjitime të shpallësit ose të ndonjë pale tjetër në procedurë, nëse kërkesat e tilla paraqiten adekuate mbi bazë të rrethanave të rastit të veçantë dhe

(b) t’i konsiderojnë pohimet faktike të pasakta nëse dëshmitë e kërkuara sipas (a) nuk janë siguruar, ndërsa gjyqi ose pushteti administrativ konsideron se janë të pamjaftueshme.

Neni 7

Kjo Direktivë nuk do t’i pengojë vendet anëtare të adoptojnë dispozita për mbrojtje më të gjerë të konsumatorëve, të personave që ushtrojnë tregti, biznes, zanat ose profesion dhe të opinionit të përgjithshëm.

Neni 8

Vendet anëtare më së voni deri më 1 tetor do të ndërmarrin masa për t’u harmonizuar me këtë Direktivë. Për këtë ato me kohë do ta informojnë Komisionin. Vendet anëtare Komisionit do t’i drejtojnë tekstin e të gjitha dispozitave që do të inkorporohen në ligjin nacional, e kanë të bëjnë me sferën që mbulon kjo Direktivë.

Neni 9

Direktiva ka destinim vendet anëtare.



Accessibility

Accessibility