SHKUP, 13.5.2011 – Këshilli i Radiodifuzionit (KRD) sot vendosi që të ngrejë procedurë kundërvajtëse kundër Televizionit A1 për shkak të shkeljes së Kodit zgjedhor.
Analiza e programit të emetuar të TV A1 tregoi që në lajmet e TV A1 është shfrytëzuar hulumtimi joshkencor dhe joreprezentativ i opinionit publik, përmes votimit të shikuesve me anë të telefonit. Me këtë TV A1 ka shkelur nenin 75 të Kodit zgjedhor dhe nenin 13 të Rregullores për sjelljen e radiopërhapësve gjatë periudhës para fillimit të fushatës zgjedhore. Dispozitat e këtyre akteve ligjore ua ndalojnë radiopërhapësve që të publikojnë rezultate nga hulumtime joshkencore dhe joreprezentative të opinionit publik, siç është votimi i shikuesve dhe i dëgjuesve përmes telefonit (televouting), anketat e bëra në Internet e ngjashëm.
Nga e hëna, 16 maj, do të vlejë “Rregullorja për qasje të barabartë në paraqitjen mediatike gjatë kohës së fushatës zgjedhore”. KRD vazhdon me monitorimin e rregullt dhe menjëherë do të shqiptojë masa, po qe se vërehen parregullsi.