Shkup, 07.10.2016.– Drejtori i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, d-r Zoran Trajçevski dhe Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian, z. Samuel Zhbogar, sot në hapësirat e Agjencisë, zyrtarisht lëshuan në përdorim pajisjen e re për monitorimin e përmbajtjeve mediatike. Me këtë eveniment u rrumbullakua projekti IPA 2011 i titulluar “Sigurimi i pajisjeve për monitorimin e përmbajtjeve mediatike që e kryen Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele”.
Agjencia me pajisjen e re, në aspekt teknik bëri përsosjen e sistemit për incizimin, ruajtjen dhe kontrollimin e përmbajtjeve programore të emetuara në radiot dhe televizionet. Njëkohësisht, tani mundësohet pranimi i sinjaleve e të gjithë radiodifuzerëve në territorin e Republikës së Maqedonisë, si dhe të sinjaleve të të gjithë operatorëve të rrjeteve publike të komunikimit elektronik në Republikën e Maqedonisë, në selinë e Agjencisë. Kjo është mundësuar përmes transferimit të sinjaleve, nga tetë pikat e largëta deri te pika qendrore grumbulluese që është e vendosur në Agjenci, e që është edhe pikë e largët grumbulluese për Shkup.
– Zhvillimi dhe përsosja e trupave rregulluese për mediumet, duhet të jetë edhe një sfidë dhe një motiv shtesë për krijimin e partneriteteve dhe besimit të ndërsjellë me të gjitha palët e interesuara në shoqëri – theksoi drejtori i Agjencisë, d-r Zoran Trajçevski gjatë këtij evenimenti.
Vlera e përgjithshme e pajisjes për monitorimin e përmbajtjeve mediatike është 839,608.00€, prej të cilave 75% janë siguruar me ndihmë financiare të Bashkimit Evropian, kurse mjetet tjera prej 25%, respektivisht 209,902.00€ janë siguruar me konfinancim nga buxheti i Agjencisë.
Implementimin e pajisjes e realizoi kompania Asseko SEE SHPKNJP Shkup si dhe konsorciumi SALVIOL nga Lubjana, të cilët gjatë këtij evenimenti i prezantuan edhe performancat e softuerit të ri dhe pajisjes për monitorimin e përmbajtjeve mediatike, përmes së cilës sigurohet një incizim i vazhdueshëm 24 orësh të programit të emetuar të shërbimeve programore të radios dhe televizioneve për të cilat Agjencia ka dhënë leje dhe incizime në kohëzgjatje prej së paku 90 sekondave për çdo shërbim programor, që është ritransmetuar përmes rrjetit të RRPKE së paku katër herë gjatë një dite, respektivisht gjatë 24 orëve.
Fjalimin e plotë të drejtorit të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, d-r Zoran Trajçevski mund ta merrni në këtë link