MBIKËQYRJE E JASHTËZAKONSHME E KRYER PËR KËNGËN “TROJET SHQIPTARE” TRANSMETUAR NGA RTM2

Shkup, 1 prill 2026 – Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme programore kundrejt Kanalit të Dytë Televiziv të Shërbimit publik radiodifuziv mbi programin muzikor “Festivali i Këngës për Fëmijë – Bilbilat e Korabit” të transmetuar më 28 mars 2026. Raporti i mbikëqyrjes është publikuar në ueb- faqen e Agjencisë në linkun e mëposhtëm.

Konstatimet e monitorimit janë se interpretimi i këngës “Албански територи (Trojet Shqiptare)” nxit dhe përhap intolerancë bazuar në përkatësi kombëtare dhe etnike përmes simboleve irredentiste dhe mesazheve të qarta politike për të promovuar “trashëgimi” monoetnike, irredentiste për bashkimin e territoreve. Vajza që këndoi këngën “Албански територи (Trojet Shqiptare)”, mbante veshur një bluzë, në pjesën e përparme të së cilës ishte treguar qartë ilustrim i hartës së të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe” që përfshin territoret e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kosovës dhe Greqisë, e cila përfaqëson territorin ku jetojnë ose kanë jetuar dikur shqiptarë etnikë, dhe në pjesën e pasme të bluzës në gjuhën shqipe janë shkruar fjalët “1 GJUHË, 1 KOMB, 1 GJAK” (“Еден јазик, еден народ, една крв”). Gjithashtu, gjatë performancës skenike, interpretuesја е këngës dhe dy valltarеt disa herë me duar treguan simbolin e shqiponjës dykrerëshe. Plotësuese, teksti i këngës përmbante mesazhe që bënin thirrje për ekspansionizëm dhe bashkim territorial të vendeve dhe qyteteve në rajon, duke përfshirë territoret e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Gjatë mbikëqyrjes Agjencia zbatoi kriteret nga Udhëzuesi për monitorim të gjuhës së urrejtjes, standardet e Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut (rastet Roj TV kundër Danimarkës dhe Zana kundër Turqisë). Gjithashtu u  përcaktua se kufizimi i këtij lloji të shprehuri është përcaktuar me ligj, ka qëllim legjitim (mbrojtja e sigurisë kombëtare, rendit publik dhe të drejtave të të tjerëve) dhe është i nevojshëm në një shoqëri demokratike.

Shfaqja e përmbajtjeve të tilla në një program dedikuar për të mitur (fëmijë) paraqet tentativë për indoktrinim me ide që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me frymën e bashkëjetesës dhe tolerancës në shoqërinë tonë multietnike, dhe transmetimi i mesazheve përmes fëmijëve është keqpërdorim i rëndë i tyre për qëllime politike.

Fakti që pamjet dhe mesazhet kontroverse kaluan nëpër filtrin editorial të RTM2 pa u mënjanuar tregon një lëshim serioz dhe sistematik në planifikimin dhe redaktimin e programit.

Agjencia rikujton se Shërbimi Publik Radiodifuziv ka përgjegjësi të veçantë për të parandaluar keqpërdorimin e programit për promovimin e ideve që mohojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit, si dhe për nxitjen e formave kulturore, etnike, fetare, gjinore, racore, kombëtare ose formave të tjera të intolerancës, si dhe se RTM-ja është e detyruar të sigurojë mbrojtje të plotë të të miturve në programet e saj.



Accessibility

Accessibility