TV ALFA ME PUBLIKIMIN E INFORMACIONEVE KEQËDASHËSE BËN SHTYPJE NDAJ ASHMA-së

Shkup, 18 prill 2024 – Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele reagon ashpër ndaj përpjekjes së TV Alfa për të bërë presion mbi trupin rregullator përmes publikimit të informacioneve keqdashëse. Gjegjësisht, në edicionin e emisionit “Zaspij ako mozhesh” (Flej nëse mundësh), premierë në mbrëmjen e 16 prillit 2024, gazetari Goran Momirovski ndër të tjera tha se Agjencia:

  • ndërhyn në politikën editoriale të TV Alfa; dhe se
  • kërcënon joformalisht TV Alfa se mund të mbyllet nëse nuk ka “një lloj balansimi që është shumë subjektiv”.

Që nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale, punonjës të Tv Alfa i janë drejtuar disa herë Agjencisë për shpjegimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor. Pavarësisht se Kodi për detyrimin për raportim të balancuar prej vitesh nuk është ndryshuar dhe TV Alfa ka mbuluar çdo cikël zgjedhor, Agjencia i përgjigjet në kohë çdo kërkese të televizionit duke sqaruar dispozitat ligjore. Sigurisht që çdo transmetues duhet të marrë një vendim të pavarur editorial dhe këtë e potencon rregullatori në çdo komunikim me mediat.

TV Alfa në disa raste është ankuar se LSDM dhe përfaqësuesit e kësaj partie në pushtet refuzojnë të jenë mysafirë në programet e saj. Agjencia i kujtoi televizionit se janë 7 kandidatë që marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe 17 parti/koalicione në zgjedhjet parlamentare, dhe duke pasur parasysh këtë, mund të arrijë një balansim në pasqyrimin e fushatës nëse cakton kohë të barabartë informimi për të parët, dhe raporton për të dytën proporcionalisht, sipas numrit në listat e konfirmuara të kandidatëve. Në fakt, TV Alfa nuk është i vetmi televizion që ankohet për injorimin nga disa subjekte politike,  dhe Agjencia, zakonisht kur bën vlerësime për bilanc, do të marrë parasysh nëse media ka ftuar subjektet politike dhe ata kanë vendosur të mos marrin pjesë.

Në të njëjtën kohë, TV Alfa qëllimisht mashtron publikun se kriteri – sipas të cilit transmetuesit nuk do t’i rinovohet leja e transmetimit nëse nuk raporton në mënyrë të balancuar gjatë një procesi zgjedhor, rrjedh nga Agjencia. Kjo nuk është aspak e vërtetë sepse është kriter i paraparë në Ligjin për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuele.

Fatkeqësisht, TV Alfa zgjodhi të shkelë standardet profesionale gazetareske dhe të publikojë informacione keqdashëse, që është një nga format më të këqija të manipulimit të informacionit, sepse është krijuar me qëllimin e qartë për të dëmtuar dikë, në rastin konkret – Agjencinë.



Accessibility

Accessibility