Njoftim për shtyp

 Shkup, 6 nëntor 2026 – Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), në kuadër të Programit Zviceran për Mbështetjen e Zgjedhjeve, sot në ambientet e Agjencisë organizoi trajnim për të punësuarit në shërbimin profesional me temë: „Përdorimi efektiv i mjeteve digjitale dhe i mjeteve të mbështetura nga inteligjenca artificiale“.

 Qëllimi i trajnimit ishte prezantimi i mundësive dhe kufizimeve të inteligjencës artificiale (IA), mënyrave se si ajo mund të kontribuojë në përmirësimin e punës së përditshme të Agjencisë, si dhe i parimeve për përdorimin e saj etik dhe të përgjegjshëm.

Përmes shembujve praktikë dhe ushtrimeve të ndërlidhura me kompetencat e Agjencisë, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me mënyrat e zbatimit efikas të këtyre mjeteve gjatë hartimit të analizave, identifikimit të gjuhës së urrejtjes dhe monitorimit të mediave, si dhe gjatë përmbledhjes dhe përpunimit të të dhënave. Gjithashtu, gjatë trajnimit u diskutua edhe për mundësitë dhe sfidat që lidhen me përdorimin e IA-së për përkthimin e automatizuar dhe gjenerimin e zërave sintetikë.

Trajnimi u realizua nga konsulenti ndërkombëtar Matias Lip-Rozental, ndërsa njohuritë e fituara do të kontribuojnë në kuptimin më të mirë të mundësive të përdorimit të inteligjencës artificiale gjatë ushtrimit të kompetencave rregullatore të Agjencisë.



Accessibility

Accessibility